
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e drejtorit të prokurimit të Policisë së Kosovës.
Rekomandimi i është bërë drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, nën dyshimet se drejtori i prokurimit të Policisë ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Dyshimet hetimore përfshijnë rrethanat që ndërlidhen me dhjetëra kontrata prokurimi, që janë realizuar përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.
Hetuesit e IPK-së po zhvillojnë hetim paraprak.
“Dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale, për të cilat janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës. Për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit hetimor, IPK i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të zyrtarit në fjalë deri në përfundimin e hetimit penal”, ka njoftuar IPK-ja.
IPK-ja në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës tha se është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtyre dyshimeve.
“Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit ligjor, duke trajtuar me prioritet çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, cenim të integritetit institucional dhe shkelje të ligjit nga zyrtarët policorë, pavarësisht pozitës apo funksionit që ushtrojnë. Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, IPK në këtë fazë të hetimit nuk mund të ofrojë detaje të tjera lidhur me këtë rast”, ka njoftuar IPK.



