
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka publikuar një video nga takimi më mërgatën në Francë.
Në hyrje të vidoes, Kurti thotë se nëse ndonjëri nga të pranishmit është avokat, do të ishte i interesuar që ai të vinte e të bëhej prokuror në Kosovë.
Postimi i plotë:
Përfshirja sa më madhe dhe më e gjerë e bashkatdhetarëve në jetën publike e institucionale në Kosovë, përveç lidhjes së tyre me vendlindjen, i shërben forcimit të institucioneve të Republikës, me përvojën dhe ekspertizën, me kulturën dhe shprehinë e punës, që sjellin nga demokraci e shtete të zhvilluara.
Pikërisht për këtë diskutuam me pjesëtarë të mërgatës sonë të çmuar në Francë, të cilët pata kënaqësi t’i takoj të dielën, para nisjes së Forumit të Paqes në Paris.
Nëpërmjet “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten ndërmarrës nga mërgata për investime që realizohen në Kosovë. Për kreditë që merren për investimet e tyre, shteti ynë do të jetë garant, duke shërbyer si hipotekë për ta. Kësisoj mërgata lëvizë drejt kapërcimit nga sakrifica për të kontribuuar në investim për të fituar. Ndërkaq, me Programin 1 Miliard Euro për prodhim dhe industri do të mbështeten projektet strategjike dhe prioritare të industrisë.



