
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Edward Ferguson, ka mirëpritur deklaratat e para të përfaqësuesve të Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, Ferguson tha se i kishte bërë përshtypje zotimi i përfaqësuesve të rinj për të punuar në përmirësimin e marrëdhënieve të Serbisë me vendet fqinje.
“Kjo është shumë e mirëpritur, veçanërisht në një moment kur marrëdhëniet me disa vende fqinje nuk janë në nivelin që do të dëshironim”, tha ai.
Ferguson vlerësoi se është e natyrshme që prioritet i udhëheqjes së re serbe të jetë politika e brendshme. Megjithatë, sipas tij, në një moment duhet të zhvillohen bisedime edhe për tema komplekse, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Është plotësisht e qartë se nuk do të pajtohemi për çdo çështje të politikës së jashtme. Në një moment do të na duhet të bisedojmë për tema më komplekse, si normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian dhe Rusinë, si dhe çështje të tjera”, deklaroi ambasadori.
Ai shtoi se këto bisedime nuk duhet të zhvillohen menjëherë, por se është e rëndësishme të krijohen mekanizma që mundësojnë dialog të pjekur dhe të bazuar në respekt të ndërsjellë.
Ferguson tha gjithashtu se dëshiron të nisë një dialog strategjik mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Serbisë, duke vlerësuar se ardhja e qeverisë së re krijon mundësi për bisedime të nivelit të lartë.



