
Nju-Jorku ka regjistruar numrin më të ulët të incidenteve me armë zjarri, viktimave nga të shtënat dhe vrasjeve për dhjetë muajt e parë të një viti, sipas të dhënave të Policisë së qytetit.
Nga janari deri në fund të tetorit 2026 janë raportuar 96 mijë e 59 krime të rënda, krahasuar me 102 mijë e 726 gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson 6 mijë e 667 raste më pak, ose rënie prej 6.5 për qind – më e madhja për këtë periudhë në 17 vjetët e fundit.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 536 incidente me armë zjarri dhe 649 viktima nga të shtënat, përkatësisht 10.4 dhe 13 për qind më pak se një vit më parë.
Numri i vrasjeve ka rënë në 230, duke e tejkaluar rekordin e mëparshëm më të ulët prej 244 vrasjesh, të vendosur në vitin 2017.
Rënie kanë shënuar edhe grabitjet, vjedhjet me thyerje, vjedhjet e automjeteve dhe vjedhjet e rënda. Megjithatë, jo të gjithë treguesit kanë shënuar përmirësim, pasi është raportuar rritje e lehtë e krimit në transportin publik.
Komisionerja e Policisë, Jessica Tisch, ia ka atribuuar rezultatet strategjisë së bazuar në të dhëna, konfiskimit të armëve të paligjshme dhe operacioneve kundër grupeve kriminale. Gjatë vitit 2026, policia ka sekuestruar mbi 4 mijë e 500 armë të paligjshme.



