Spiropali pasi Rama e shkarkoi nga postet: Nuk pendohem, nuk lutem dhe nuk gjunjëzohem

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda partisë dhe raportimeve për përplasjet e saj me kryeministrin Edi Rama.

Spiropali ka thënë se disa persona po sillen sikur asaj i ka ndodhur diçka e rëndë, ndërsa ka theksuar se humbja e ndonjë pozite politike nuk i bën përshtypje.

“Ca që s’më njohin po janë të habitur sikur çoç më ndodhi. U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s’më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qeniet mitologjike që po më preve një kokë, më dalin shtatë të tjera”, ka shkruar Spiropali.

Ajo ka deklaruar se nuk pendohet për qëndrimet e saj dhe se nuk do të kërkojë mëshirë nga askush.

“Pavarësisht nga numri i kokave të prera, një, shtatë apo 17, unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston drejtësia”, ka theksuar ajo.

Spiropali ka kritikuar mediat dhe portalet që, sipas saj, kërcënojnë, shpifin dhe krijojnë intriga, duke thënë se në vend të tyre zgjedh të lexojë libra.

Ajo është shprehur se pushteti dhe pozitat politike nuk kanë rëndësi për të, duke e krahasuar veten me një dhi që ngjitet dhe zbret nëpër shkrepa pa pasur frikë nga rrëzimi.

“Jo më të rrëzohem e ngjitem nga froni apo kolltuku, që s’më bën asnjë përshtypje”, ka shkruar Spiropali.

Në fund, ajo ka deklaruar se do të vazhdojë të qëndrojë e palëkundur në bindjet e saj, pavarësisht zhvillimeve brenda Partisë Socialiste.

“Kjo jam unë. Të tjerat janë llafe kafaneje. Dhe ka që habiten sikur çoç më ndodhi në një mbledhje”, ka përfunduar Spiropali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.