
Një anije ruse e mallrave është përfshirë nga flakët pasi u godit nga dronë në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës.
Forcat e Mbrojtjes së Finlandës kanë bërë të ditur se sulmi ndaj anijes “Sparta II” ndodhi të shtunën, më 21 nëntor, në perëndim të ishullit rus Gogland. Pas dëmtimit, anija lëvizi drejt ujërave territoriale finlandeze, ku autoritetet nisën operacionin e shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit.
Sipas autoriteteve finlandeze, sulmi ka të ngjarë të jetë kryer nga Ukraina. Nga ana tjetër, zyrtarët rusë kanë deklaruar se anija ishte goditur nga dy dronë derisa po lundronte drejt enklavës ruse të Kaliningradit.
Të 16 anëtarët e ekuipazhit janë evakuuar fillimisht në varkat e shpëtimit dhe më pas janë transferuar në një anije tjetër ruse. Deri më tani nuk është raportuar për viktima.
“Sparta II” është një anije mallrash me gjatësi prej 121 metrash, e lidhur me kompaninë ruse “Oboronlogistika”, e cila ofron shërbime logjistike për Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Anija ndodhet gjithashtu në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet finlandeze kanë thënë se ende nuk dihet se çfarë ngarkese po transportonte anija, por nuk kanë përjashtuar mundësinë që në të të ketë pasur pajisje ushtarake.
Pas incidentit, Finlanda vendosi përkohësisht kufizime në trafikun ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, me qëllim mbrojtjen e civilëve dhe parandalimin e ndonjë rreziku nga dronët.
Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, paralajmëroi se pasojat e luftës në Ukrainë po afrohen gjithnjë e më shumë me territorin e vendeve të NATO-s.
“Lufta po përhapet në zonat tona fqinje. Autoritetet finlandeze po e menaxhojnë situatën në Gjirin e Finlandës, ku një sulm me dron ka goditur një anije tregtare ruse. Ukraina ka të drejtë të luftojë kundër agresorit”, deklaroi Orpo.
Megjithatë, Forcat e Mbrojtjes së Finlandës kanë sqaruar se vendi nuk përballet aktualisht me ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak dhe se trafiku tregtar në Detin Baltik nuk është rrezikuar.
Zjarri në anijen ruse vazhdoi edhe gjatë natës, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për shuarjen e tij dhe parandalimin e ndotjes së mundshme detare.



