
Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kërkuar reagim dhe distancim zyrtar të Bashkimit Evropian pas interpretimit të një kënge nacionaliste serbe në një aktivitet të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit në Bruksel.
Tahiri e ka cilësuar këngën si “nacionaliste dhe hegjemoniste”, ndërsa ka kërkuar që diplomacia kosovare ta arrijë dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kënga nacionaliste hegjemoniste serbe, e kënduar në një aktivitet në kuadër të Forumit të Zgjerimit të BE-së, kërkon reagimin dhe distancimin zyrtar të BE-së”, ka deklaruar Tahiri.
Ajo ka kërkuar gjithashtu angazhim më të madh për sigurimin e njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
“Diplomacia e Kosovës duhet ta arrijë dialogun strategjik me Amerikën, si dhe njohjen nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin shtetin e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Tahiri e ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se gjatë viteve të saj në pushtet nuk është siguruar asnjë njohje nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.
“Që nga koha kur ne si qeveri e përfunduam mandatin në vitin 2017, Qeveria Kurti, tash gati gjashtë vjet në pushtet, nuk arriti asnjë njohje nga këto pesë vende”, ka deklaruar Tahiri.



