
Një ngjarje e skandaloze ka ndodhur në një concert në Bruksel. Në organizimin në prag të Forumit të Zgjerimit, që zhvillohet sot, është lëshuar melodia e këngës nacionaliste serbe, e cila i kushtohet Kosovës, shkruan Gazeta Politika.
Më saktë, në këtë koncert, që paramendohej të relaksonte atmosferën, është lëshuar melodia e këngës “Sa Kosova tora Svice”.
“Por në këtë rast ka ndodhur një skandal, kur si këngë nga Kosova është interpretuar një melodi, pa tekst, e këngës nacionaliste serbe “Sa Kosova tora sviće”, teksti i së cilës flet se si serbët nuk do ta japin Kosovën. Teksti i kësaj kënge ishte shkruar në vitin 1989, kur Millosheviqi kishte nisur politikën e tij serbomadhe, e cila nga Kosova më pas kaloi edhe në pjesë të tjera të territorit të ish-Jugosllavisë” – raporton mediumi KOHA.
Tashmë kanë nisur reagimet e shumta, përfshirë reagimet zyrtare të institucioneve të Kosovës.
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar pasi në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian është interpretuar muzika e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës. Zulfaj ka thënë se është skandaloze dhe e papranueshme ajo që ngjau në Bruksel dhe po pret përgjigje nga komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, nën udhëheqjen e të cilës po mbahet aktiviteti.
“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb. Komisioneres Kos ia lëmë të shpjegojë se si ndodhi kjo dhe çfarë masash do të ndërmarrë, si dhe pse Kosova, vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, nuk ishte ftuar”, ka shkruar Zulfaj në platformën “X”.
E kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka thënë se interpretimi i muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian është e papranueshme.
Bajrami në një postim në “X” ka thënë se pret sqarim nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për zgjerim Marta Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor.
“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme. Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami në platformën “X”.



