
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas interpretimit të melodisë së një kënge nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Haxhiu e ka cilësuar ngjarjen thellësisht shqetësuese, duke theksuar se kënga promovon pretendime territoriale ndaj Kosovës.
“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me BE-në nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet evropiane.
“Një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka kërkuar sqarim nga Komisioni Evropian, duke e quajtur të papërgjegjshme përzgjedhjen e kësaj melodie.
“Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme. Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, ka përfunduar Haxhiu.



