
Hoteli “ZOE”, i vendosur në oborrin e Universitetit të Prishtinës, vazhdon të ushtrojë veprimtarinë, ndonëse Komuna kishte konstatuar se punimet për ndërtimin e objektit ishin pa leje dhe kishte nxjerrë vendim për rrënim, shkruan KOHA.
Ekzekutimi i këtij vendimi është pezulluar nga Gjykata Administrative, pas padisë së palës, ndërsa kontesti për objektin dhe pronësinë e tij po vazhdon në gjykatë.
Për objektin ku tash e disa muaj funksionon hoteli “ZOE”, në oborrin e UP-së, Komuna e Prishtinës kishte nxjerrë aktvendim për rrënim.
Gjatë inspektimit në terren, sipas procesverbalit të muajit mars 2026, ishte konstatuar se në objektin në fjalë ishin kryer punime ndërtimore pa leje.
Në procesverbal përmendet vendosja e kulmit në ndërtesën ekzistuese, hapja e dyerve dhe e dritareve në hyrje të ndërtesës, si dhe disa punime të tjera pa leje.
Sipas përgjigjeve të Komunës, zona ku tashmë funksionon hoteli “ZOE” është hapësirë universitare.
“Pas verifikimit të të dhënave në regjistrin e kërkesave dhe lëndëve të trajtuara, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit konfirmon se nuk ka lëshuar leje ndërtimi për lokacionin/ndërtesën në fjalë. Sipas Planit Rregullues Urban “Qendra 2”, zona destinohet për rekreim – gjelbërim, shtigje dhe sheshe, ndërsa sipas Planit Zhvillimor Urban, destinohet si hapësirë publike, gjegjësisht universitare”, thuhet në përgjigjen e komunës.



