
Bashkimi Evropian ka lëshuar një komunikatë pas përfundimit të Samitit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratën 20-pikëshe, BE-ja ka përmendur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, i shoqëruar me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.



