
Të mërkurën përfundon afati dhjetëditor brenda të cilit presidentja duhet të vendosë nëse do të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo do të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati dhjetëditor që ka presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të vendosur nëse do të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo do të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pas dështimit të formimit të qeverisë “Kurti 3”.
Më 26 tetor, në Kuvendin e Kosovës dështoi votimi për kabinetin e ri të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili mori vetëm 56 vota për. Pas këtij zhvillimi, presidentja Osmani nisi konsultimet me subjektet politike, ndërsa të premten zhvilloi një takim të përbashkët me liderët e partive për të diskutuar hapat e ardhshëm.
Pas takimit, presidentja deklaroi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Ajo theksoi se mandati i parë për formimin e qeverisë i takon vetëm partisë fituese të zgjedhjeve, por se Kushtetuta nuk e kufizon se cila parti mund të propozojë mandatarin e dytë.
“Sipas Kushtetutës, presidentja ka diskrecionin për të vendosur se kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e qeverisë,” tha Osmani, duke shtuar se nuk mund të paragjykojë nëse Lëvizja Vetëvendosje do të paraqesë një propozim të ri apo jo.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se gjatë gjashtë muajve të fundit ka pasur përpjekje për ndërtimin e një shumice qeverisëse, por asnjë nga partitë parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në koalicion.
“Nëse oferta jonë për bashkëpunim do të ishte pranuar, sot do të kishim mundësi të formonim një qeveri të koalicionit dhe të tejkalonim sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajve,” tha Kurti.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje si partinë e parë, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).



