
Diplomati amerikan dëshmoi në Hagë se Hashim Thaçi i ishte dukur më i përshtatshëm për një mjedis akademik sesa për atë ushtarak, dhe se nuk kishte asnjë bazë për të besuar se kontrollonte UÇK-në.
Diplomati amerikan Christopher Hill ka dëshmuar të hënën në Gjykatën Speciale në Hagë për takimin e tij të parë me Hashim Thaçin, që kishte ndodhur në fshatin Dragobil. Ai tha se në atë takim nuk i ishte krijuar përshtypja se Thaçi përfaqësonte dikë.
“Nuk mendoj se ai përfaqësonte dikë aty,” tha Hill, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”.
Hill gjithashtu mohoi se gjatë takimit kishte krijuar ndonjë përshtypje që Thaçi ishte komandant ushtarak. “Ai fliste butë, në mënyrë të mendueshme, dhe m’u krijua përshtypja që ai ishte më i përshtatshëm për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak,” u shpreh diplomati amerikan.
Ai shtoi se nuk kishte asnjë bazë për të menduar se Thaçi kishte nën kontroll Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Ai ishte udhëheqësi i këtyre tre personave që erdhën, por nuk m’u krijua përshtypja që kishte në kontroll një organizatë të madhe ose që e drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë prezumim,” deklaroi Hill.
Sipas tij, në takim kanë qenë të pranishëm edhe Jakup Krasniqi dhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve kishte kërkuar të hynte me armë brenda, por kjo nuk ishte lejuar.
Në dëshminë e tij, Hill përmendi edhe një bisedë të asaj kohe, ku pjesëmarrësit kishin folur në mënyrë negative për Ibrahim Rugovën. “Ata thanë sa njeri i tmerrshëm ishte Rugova, dhe unë u thashë se nuk më intereson çfarë mendojnë ata për të. Një ditë, kur të keni demokraci, do ta keni kënaqësinë e votimit kundër tij,” kujtoi ai.
Diplomati amerikan tha se nuk i kujtohet nëse në atë takim ishte diskutuar për çështjen e personave të ndaluar.



