
Partia ka rritur numrin e votave me rreth 70 mijë dhe ka fituar dy herë Prishtinën, garën më të rëndësishme lokale.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, ka shënuar një rritje të dukshme në zgjedhjet e fundit, duke fituar rreth 70 mijë vota më shumë dhe duke rikthyer dy herë Prishtinën, qytetin kyç në garat lokale.
Që nga marrja e drejtimit të partisë, Abdixhiku ka nisur procesin e rikthimit të fitoreve të mëdha për LDK-në. Në vitin 2021, partia përjetoi një tronditje historike, duke arritur vetëm 12% të votave në zgjedhjet parlamentare, pas një koalicioni me AKR-në e Behgjet Pacollit.
Pas kësaj humbjeje të thellë, LDK kuptoi nevojën për reforma të brendshme dhe zgjodhi Lumir Abdixhikun si kryetar. Që nga ky moment, partia nisi rimëkëmbjen politike dhe në të njëjtin vit arriti të rikthejë Prishtinën, duke shënuar një fitore të rëndësishme pas shumë vitesh.
Pas katër vitesh drejtim, Abdixhiku e ka rritur partinë me rreth 70 mijë vota, një rritje prej 54% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. LDK-ja tani udhëheq me 7 komuna, që përfshijnë rreth 550 mijë banorë, dhe duket se ka rikthyer besimin e qytetarëve.
Falë historisë së gjatë dhe shtrirjes së gjerë elektorale, LDK ka potencialin për të forcuar më tej elektoratin e saj. Megjithatë, rikthimi kërkon kandidatë të duhur dhe të pranueshëm për qytetarët – jo reciklim të figurave të dikurshme, por hapje për profesionistë dhe njerëz me perspektivë.
Me Lumir Abdixhikun në krye, qytetarët po shohin një parti që ka kaluar reforma të thella dhe është në rrugën e duhur. Dje, LDK-ja doli fituese në kryeqytet. Prishtina, që dikur shënoi tkurrjen e partisë nën Isa Mustafën, tash ka nisur ringritjen nën Lumir Abdixhikun.



