
Deputetja e Kuvendit, Doarsa Kica-Xhelili, thotë se rasti i rezervave shtetërore nuk ndalet te ish-ministrja Rozeta Hajdari, por përfshin edhe kryeministrin Albin Kurti dhe strukturat e VV-së, të cilat sipas saj sabotuan hetimet parlamentare.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.
Në një postim në Facebook, Kica-Xhelili ka deklaruar se ky rast nuk ka të bëjë vetëm me Hajdarin, por edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo ka kujtuar se Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore ishte “sabotuar për gjashtë muaj” nga VV, përmes mungesës së kuorumit, mosvotimit të dokumenteve dhe pengesave të tjera, me qëllim – siç tha ajo – mbulimin e skandalit.
Sipas deputetes, procesi i blerjes së rezervave shtetërore ishte negociuar nga persona të afërt me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ndërsa përfshirja e Kurtit ishte “vendimtare në çdo hap të këtij procesi”.
“Mielli dhe vaji u patën shpallur ‘sekret shtetëror’ vetëm për këtë rast, dhe asnjëra nga këto nuk mund të bëhej pa Albin Kurtin,” ka shkruar Kica-Xhelili, duke shtuar se aktakuza është e vonuar dhe se Rozeta Hajdari ka qenë “vetëm zbatuese e urdhrave të eprorit të saj politik”.
Deputetja ka theksuar se ky është vetëm një nga rastet që, sipas saj, dëshmojnë keqpërdorime të pushtetit nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë “kontratat njëburimore, punësimet e kundërligjshme dhe aferat energjetike”.
“Nëse ka drejtësi, kjo qeveri do të konfirmohet si më e korruptuara dhe më e dëmshmja ndonjëherë”, ka përfunduar reagimin e saj Kica-Xhelili.



