Prokuroria propozon Albin Kurtin si dëshmitar në gjyqin ndaj Rozeta Hajdarit për rezervat shtetërore

Prokuroria Speciale ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të dëgjohet si dëshmitar për aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit dhe zyrtarëve të tjerë të MINT-it, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, i kanë propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtimin gjyqësor lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

banner

Kurti është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, pasi kishte nënshkruar dy vendime që lidhen me ndarjen e mjeteve buxhetore për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit, si dhe për përjashtimin nga procedura e prokurimit publik, të cilat përmenden në aktakuzën e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, Kurti kishte refuzuar t’i përgjigjej tre thirrjeve të rregullta të Prokurorisë Speciale, duke dhënë arsye të ndryshme për mosparaqitje. Pas dy thirrjeve të detyrueshme të urdhëruara nga gjykata, Kurti nuk iu përgjigj as këtyre ftesave, për çka gjykata kishte shqiptuar edhe gjobë ndaj tij. Më 13 mars 2025, Kurti kishte parashtruar ankese ndaj vendimit për gjobë, e cila u refuzua nga Kolegji Penal i Gjykatës Themelore në Prishtinë më 24 mars 2025.

Bazuar në këtë situatë, prokurorët specialë kanë propozuar që Kurti të dëgjohet si dëshmitar në gjyqin ndaj Hajdarit.

Për rastin e “Rezervave shtetërore”, PSRK ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretarit të MINT, Irfan Lipovica, drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, dhe afaristit Ridvan Muharremi, i akuzuar për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt–mars 2022 keqpërdorën detyrat zyrtare për përfitim pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëme për buxhetin e Kosovës prej 2,912,134.78 euro. Ata akuzohen gjithashtu se kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare tek biznesmeni Muharremi, duke i treguar vendndodhjen e rezervave shtetërore.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.