
Koordinatorja e komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për mungesë reflektimi, korrupsion të vazhdueshëm dhe lidhje me krimin e organizuar, duke thënë se ky subjekt është bërë simbol i vesit politik në vend.
Koordinatorja e komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka shpërthyer në akuza të forta ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e cilësuar si një strukturë që prej vitesh është shndërruar në simbol të korrupsionit, dhunës dhe arrogancës politike.
Në një reagim publik, Mihali ka thënë se eksponentët e PDK-së – të rinj e të vjetër – përsërisin vetëm dy teza boshe: “askush nuk e do Kosovën më shumë se ne” dhe “a ke luftuar (kontribuar)”. Sipas saj, këto janë argumente të konsumuara që nuk mbulojnë mungesën e çdo reflektimi real mbi dështimet politike e morale të kësaj partie.
“PDK nuk ka pasur kurrë guximin t’i drejtohet me të njëjtën gjuhë Listës Serbe, sepse e konsideron të papërshtatshme. Ndërkohë, për shqiptarët që nuk janë me ta, përdor fyerje e akuza,” ka theksuar Mihali, duke ironizuar edhe gjestet simbolike të afërsisë mes përfaqësuesve të PDK-së dhe Listës Serbe.
Ajo ka akuzuar drejtuesit e PDK-së për një sërë veprimesh të paligjshme e të pamoralshme, nga korrupsioni e shantazhi deri te dhuna dhe abuzimet me pushtetin. “Ata vjedhin, shantazhojnë dhe janë të tillë që prej vitit 2007. Nuk i vjen asnjërit keq për pasojat që i kanë shkaktuar vendit,” ka deklaruar Mihali.
Sipas saj, krerët e PDK-së, të rinjtë dhe të vjetrit, nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me mëkatet që i rrëzuan nga pushteti Thaçin e Veselin dhe që i kanë kushtuar partisë disa humbje radhazi. “Këta nuk kanë shërim, sepse riprodhojnë të njëjtin defekt, të njëjtat vese. Nuk kanë forcë të bëhen normal,” ka theksuar ajo.
Në deklaratën e saj, Mihali ka shtuar se asnjë politikan nuk ka të drejtë të masë dashurinë për Kosovën sipas përkatësisë partiake apo kontributit personal. “Për Kosovën është angazhuar i gjithë kombi. Regjistrin e kontributeve nuk e mban PDK dhe as nuk e miraton ajo,” ka thënë ajo.
Duke folur për arsyet e angazhimit të saj në Vetëvendosje që nga viti 2006, Mihali ka kujtuar padrejtësitë që pasuan ndarjen e Mitrovicës dhe politikat e dëmshme të decentralizimit. Ajo ka përmendur edhe përvojën personale në vëzhgimin e korrupsionit që, sipas saj, ka kulmuar gjatë qeverisjeve të PDK-së midis viteve 2012 dhe 2017.
Në fund, Mihali ka parashikuar një rënie të pashmangshme të PDK-së: “Një ditë, kjo parti do të mbetet vetëm një subjekt lokal ose do të shuhet si një shenjë e korrupsionit politik. Sepse korruptueshmëria, në fund, ta gërryen edhe ashtin. Nuk të shpëtojnë më as votat, as prokurorët.”



