Hykmete Bajrami kërkon hetim urgjent për parregullsitë në Mitrovicë: Kushdo që ka prekur votat, e ka vendin në bùrg

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas raportimeve për manipulime në procesin e numërimit të votave në Mitrovicë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimeve për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Mitrovicë, duke e cilësuar çdo ndërhyrje në vullnetin e qytetarëve si krim që duhet të ndëshkohet me burg.

banner

Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami ka theksuar se integriteti i procesit zgjedhor është thelbësor për demokracinë dhe se çdo tentativë për manipulim duhet të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

“Kushdo që ka prekur votat, kushdo që ka guxuar të prekë vullnetin e qytetarëve, e ka vendin në burg,” ka shkruar deputetja e LDK-së.

Ajo u ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Prokurorisë së Shtetit, Policisë dhe institucioneve të tjera ligj zbatuese që të veprojnë pa vonesë dhe të sqarojnë plotësisht çfarë ka ndodhur në Mitrovicë.

Sipas Bajramit, një “gabim teknik” nuk mund të trajtohet si diçka e zakonshme kur në pyetje është besueshmëria e procesit demokratik.

“Nuk duhet dhe nuk guxon të kalojë si diçka normale një gabim i ashtuquajtur ‘teknik’ në fletëvotime,” ka theksuar ajo.

Deputetja ka shtuar se qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë nga institucionet, duke paralajmëruar se çdo tentativë për të zbehur seriozitetin e rastit dëmton besimin në proceset zgjedhore.

“Askush nuk duhet të frikësohet nga zbardhja e së vërtetës. Procesi elektoral është lënduar dhe duhet sa më shpejt të ketë përgjigje dhe përgjegjësi,” ka përfunduar Bajrami.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.