
Partia Aleanca për Shqiptarët njofton se do të veprojë e pavarur, me grup të ri parlamentar dhe me fokus te kauza kombëtare dhe opozitarizmi aktiv.
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës, ka mbajtur mbledhjen e radhës, pas së cilës ka njoftuar zyrtarisht shkëputjen nga koalicioni AKI, me të cilin kishte garuar në zgjedhjet e fundit lokale. Sipas komunikatës së partisë, kryesia ka vendosur unanimisht që ASH të veprojë si subjekt i pavarur politik, ndërsa në ditët në vijim deputetët e saj pritet të formalizojnë krijimin e një grupi të ri parlamentar në Kuvend.
ASH theksoi se do të mbetet “zëri i fuqishëm opozitar i shqiptarëve”, duke mbajtur komunikim me subjektet e tjera opozitare dhe duke nisur një fushatë të gjerë takimesh me anëtarët, qytetarët dhe aktorët shoqërorë për të forcuar radhët në këtë periudhë të ndjeshme politike.
Partia rikujtoi se, ndonëse koalicioni me të cilin garuan doli fitues në nivel kombëtar në listat për këshilltarë, rezultatet për kryetarë komunash ishin të pakënaqshme. Ata akuzuan për “inzhiniering të fuqishëm shtetëror” dhe bashkëveprim mes partive shqiptare në pushtet dhe subjekteve maqedonase, për të realizuar – sipas ASH-së – platformën e VMRO-DPMNE-së për “defaktorizimin e shqiptarëve”.
Në komunikatë theksohet se kauza kombëtare, barazia e shqiptarëve në shtet dhe në Kushtetutë, si dhe adresimi i “dëmeve të shkaktuara nga Qeveria aktuale”, mbeten prioritetet kryesore të partisë.
Pas këtij vendimi, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me koalicionin AKI, i cili humb një nga shtyllat e tij kryesore pas largimit të njërit krah të Aleancës për Shqiptarët.



