Vlora Çitaku pas dënimit të Thaçit: E turpshme dhe e papranueshme

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në procesin për pengim të drejtësisë.

“E turpshme! E papranueshme!”, ka shkruar Çitaku, duke shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e saj të thellë për aktgjykimin.

Sipas saj, besimi në paanshmërinë e Gjykatës Speciale është cenuar rëndë.

“Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka thënë se kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë thelluar pikëpyetjet për mënyrën se si Gjykata Speciale e administron drejtësinë.

“Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë”, ka theksuar ajo.

Çitaku ka paralajmëruar përgjigje politike, juridike dhe diplomatike ndaj vendimeve që ajo i konsideron të padrejta.

“Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund!”, ka shkruar Çitaku.

Në reagimin e saj, u.d. e kryetares së PDK-së ka mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se historia e saj nuk mund të njolloset.

“Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset – asnjëherë”, ka deklaruar ajo.

Çitaku e ka përfunduar reagimin me thirrjen: “Me çlirimtarët, deri në liri!”.

Dhomat e Specializuara e dënuan Thaçin me 17 muaj burgim, ish-shefin e AKI-së, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliun me nga 12 muaj burgim, ndërsa ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me një muaj burgim me kusht. Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.