
Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës është marrë vendim për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, një ditë pasi u intervistua nga Prokuroria Speciale si dëshmitar për masakrën e Reçakut.
Vendimi është marrë me 5 vota për.
Në vendin e tij është emëruar prokurori Agron Qalaj.
Kelmendi dje u intervistua nga Prokuroria Speciale si dëshmitar për masakrën e Reçakut. Ai demantoi raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut, Danica Marinkoviq. Ai në një konferencë shtypi ka thënë se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe këtë e ka shfrytëzuar për t’i ofruar dokumente Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut si dhe mediave për mbulimin e krimeve që bënte Serbia.
Kelmendi në fillim të mbledhjes së KPK-së e quajti këtë një plan kundër tij.
Sepse njerëzit të cilët janë duke planifikuar gjithë këtë lojë, janë pjesë e gjithë një plani. Ky është plan, sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes të pastër. Dëshirojnë me pas një njeri i cili dje gjatë seancës dëgjimore si dëshmitar, ka qenë prezent jo njëherë, por dy herë – për me shiku a jam unë ai që po flas e për çka po flas. Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për një interes të një individi të cilin e kam përkrah vazhdimisht, është mëse e turpshme dhe joligjore”, tha Kelmendi.



