
Tashmë zyrtarisht Kuvendi i Kosovës është shpërndarë, një hap i domosdoshëm për zgjedhje të reja. Presidenca e Kosovës ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e legjislaturës.
Në komunikatë thuhet se Osmani shpërndau Kuvendin në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
‘’Presidentja Osmani ka shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës’’ –theksohet në komunikatë.
Osmani ka ftuar një konferencë për media në ora 13:00.
21 apo 28 dhjetor?
Partitë janë të ndarë në datën e zgjedhjeve të reja. Përderisa VV-ja, GUXO-ja, Alternativa dhe disa parti minoritare kërkojnë që zgjedhjet parlamentare të mbahen me 28 dhjetor, PDK-ja, AAK-ja e Nisma janë deklaruar se kanë kërkuar që data e zgjedhjeve të jetë 21 dhejtor.
Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, ka dhënë një prononcim të shkurtër pas përfundimit të takimit të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani.
Në prononcimin për media, Hamza ka treguar se PDK-ja ka propozuar që zgjedhjet të mbahen me 21 dhejtor.
“Qëndrimi ynë si PDK është dhe kemi kërkuar që data për zgjedhje të jetë 21 dhjetor… Qëndrimi jonë është që të jeta data 21, kjo për shkak se kemi pasë një shtyrje të vazhdueshme, një bllokadë në krijimin e institucioneve. Vendi ka nevojë sa më shpejt të ketë institucioneve. Nuk shkon në të njëjtën kohë me kërku urgjencë në krijimin e institucioneve dhe me kërku datë sa më të vonshme për zgjedhje. Ne kemi qenë në favor të datës 21 dhjetor për më shumë se një arsye për shkak se data 28 realisht është datë para ndërrimit të moteve” – tha Hamza, transmeton Gazeta Politika.
Njëjtë u deklarua edhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
“Në respekt të qytetarëve të vendit për kohën e humbur, kemi propozuar që dita e zgjedhjeve parlamentare të jetë 21 dhjetor” – tha Haradinaj, duke shtuar se pushteti po kërkon që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
Në prononcimin për media, Fatmir Limaj ka treguar se NISMA ka propozuar që zgjedhjet të mbahen me 21 dhejtor.
“Duke qenë këto situata të ngushta ligjore, data më e mirë dhe e imponuar është data 21 dhjetor” – tha Limaj, transmeton Gazeta Politika.
Deri më tani nga partitë opozitare, nuk është deklaruar LDK-ja.
Ndërsa Faton Peci ka deklaruar se GUXO-ja ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
“Data optimale mes datës 12 dhjetor dhe 28 dhjetor, më e favorshmja, më e përshtatshmja për qytetarin, për mërgatën, për institucionet për menaxhim më të mirë është data 28 dhjetor” – tha ai.



