
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani për një deklarim rreth buxhetit.
Abdixhiku ka dhënë disa detaje interesante nga prapaskenat e bisedave me Osmanin.
Tutje, ai tregon se pas bisedës me presidenten Osmani, kishte telefonuar edhe kryetarët e PDK-së, AAK-së e Nismës.
“Në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i kam shprehur gatishmërinë Presidentes së vendit që të votohet një pako, e cila madje mund të quhej edhe Pako e Presidentes; me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.
Në mbrëmje, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Presidentja më ka kontaktuar, duke më thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide.
Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit.
Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it” – ka shkruar Abdixhiku, ndër të tjera.



