
Ish-kryeministri Haradinaj shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, duke e kujtuar si artistin që e mbështeti në momentet më të vështira.
Ndarja nga jeta e artistit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi, ka prekur opinionin publik dhe skenën artistike shqiptare. Në mesin e shumë reagimeve të figurave publike, ka ardhur edhe ai i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për artistin e ndjerë.
Haradinaj u shpreh se Kasapi kishte qenë një nga zërat e artit që e kishte mbështetur gjatë kohës kur ai po përballej me drejtësinë në Hagë. “Sa kam qenë duke u përballur me drejtësinë në Hagë, Shpati dhe shumë artistë tjerë ishin vullnetarë të kampanjave që kërkonin drejtësi për mua, andaj mirënjohja është e përjetëshme”, shkroi ai.
Ish-kryeministri theksoi se Kasapi i kishte kushtuar edhe këngë në atë periudhë të vështirë, duke e konsideruar këtë gjest si një akt që nuk do ta harrojë kurrë.
“Lajmi për ndarjen nga jeta të artistit Shpat Kasapi është lajm i trishtë për shqiptarët e posaçërisht për skenën e artit të cilës Shpati i dha shumë”, shtoi Haradinaj.
Ai shprehu ngushëllimet e tij për familjen dhe gjithë komunitetin artistik, duke e mbyllur me fjalët: “Në paqe qofsh, Shpat.”



