
Veliu falënderon anëtarët që kanë ngritur zërin për kontributin e tij dhe thotë se përfshirja në listë është përgjegjësi, jo privilegj.
Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me diskutimet e ditëve të fundit për mundësinë që ai të jetë pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai ka falënderuar ata që, siç thotë, kanë ngritur zërin për kontributin e tij në parti dhe për “kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda’’ LDK-së.
Veliu ka rikujtuar se pritje për përfshirjen e tij në listë ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara, por ai ka vazhduar të shërbejë në parti “pavarësisht vendimeve të padrejta dhe të dëmshme të asaj kohe”.
“Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar gjithashtu se nuk duhet të lihen jashtë ata që kanë themeluar LDK-në, me arsyetimin për t’u hapur derën personave që nuk kanë qenë pjesë e partisë.
Në postimin e tij drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve, Veliu ka potencuar se LDK “është shtëpia jonë e përbashkët”, e cila është ndërtuar “me mund, sakrificë dhe besnikëri” nga ata që ishin aty kur ishte më së vështiri. Ai e ka quajtur “detyrim moral dhe institucional” respektin ndaj bazës, themeluesve dhe kontribuuesve afatgjatë.
“Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet”, ka përfunduar Veliu, duke falënderuar për mbështetjen dhe besimin.



