
Votimi jashtë Kosovës do të zhvillohet vetëm brenda misioneve diplomatike, pas ankesës së miratuar të LDK-së.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në një vendim që e posedon Gazeta Express, ka rrëzuar vendimin e mëhershëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke ndaluar organizimin e votimit jashtë hapësirave zyrtare të përfaqësive diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas vendimit të PZAP-it, votimi jashtë Kosovës mund të zhvillohet vetëm brenda misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, dhe jo në “qendra alternative” apo në cilëndo hapësirë jashtë atyre zyrtare. Paneli ka vepruar në bazë të ankesës së parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila kundërshtoi vendimin e KQZ-së për hapjen e lokacioneve shtesë të votimit.
Më herët, KQZ kishte miratuar një propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për të krijuar hapësira alternative vote jashtë përfaqësive diplomatike, me qëllim të lehtësimit të procesit për mërgatën. Ky vendim ishte mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ishte kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Me vendimin e PZAP-it, procesi i votimit jashtë vendit do të kthehet në kuadër të praktikave të deritanishme, duke kufizuar këtë të drejtë vetëm brenda hapësirave diplomatike të Kosovës.



