
Misioni shpreh zhgënjim dhe shqetësim të thellë për vendimin e disa përfaqësuesve të KQZ-së, duke paralajmëruar rrezikun për besimin në procesin zgjedhor.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të disa përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në një deklaratë, OSBE shpreh zhgënjim dhe shqetësim të thellë, duke theksuar se veprimet që cenojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje janë një largim i qartë nga standardet ndërkombëtare elektorale.
“Misioni dënon veprimet që cenojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje. Veprime të tilla paraqesin një largim të qartë nga standardet elektorale të pranuara ndërkombëtarisht,” thuhet në deklaratë.
OSBE shpreh shqetësim për polarizimin politik brenda KQZ-së, ku sjellja votuese duket e nxitur nga interesa partiake dhe jo nga kritere ligjore dhe parime demokratike. Sipas misionit, kjo sjellje minon paanshmërinë dhe besueshmërinë e një organi të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve.
Misioni i OSBE-së i kërkon KQZ-së dhe të gjithë aktorëve politikë që të mbështesin profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, duke siguruar që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.



