
24 subjekte aplikuan për certifikim; Nisma Socialdemokrate duhet të plotësojë nënshkrimet deri më 3 dhjetor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti dje mbledhjen e 87-të të këtij viti, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi. Në këtë mbledhje, KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 22 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Gjatë periudhës 24–30 nëntor, 24 subjekte politike – 18 parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur – kanë aplikuar online për certifikim. Nga to, 22 u miratuan, ndërsa disa mbetën në pritje të plotësimit të dokumentacionit.
Partitë politike të certifikuara përfshijnë LDK-në, PDK-në, AAK-në, si dhe parti të komuniteteve si Kosova Demokratik Türk Partisi, Nova Demokratska Stranka, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Socialdemokratska Unija dhe të tjera. Po ashtu u certifikuan edhe 16 parti politike gjithsej.
Në listë u përfshinë edhe 3 koalicione:
Koalicioni “Lëvizja Vetëvendosje!” (LVV, GUXO, Alternativa, PSHDK) “Koalicija VAKAT” Koalicioni “PAI–PDAK–LPB”
Gjithashtu, KQZ certifikoi dy iniciativa qytetare, PSA dhe Iniciativën Qytetare për Kosovë, si dhe kandidatin e pavarur Nedžmidin Sejdilar.
Sa i përket Nisma Socialdemokrate (NISMA), Zyra për Regjistrim njoftoi se partia ka përmbushur të gjitha kriteret me përjashtim të listës së nënshkrimeve. Asaj i është dhënë afat deri më 3 dhjetor 2025, ora 12:00, për plotësimin e tyre, pas së cilës KQZ do ta shqyrtojë certifikimin.
Ndërkohë, rekomandimi për certifikimin e Srpska Lista nuk mori votat e nevojshme dhe subjekti nuk u certifikua për zgjedhje.



