
SPERTK kërkon financim të pavarur për RTK-në dhe paralajmëron masa sindikale nëse rritja e pagave nuk trajtohet menjëherë.
Sindikata e Punëtorëve Privat të RTK-së (SPERTK) i ka kërkuar legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës që, para miratimit të buxhetit nacional, për RTK-në të vendoset rritja 0.7% në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit, të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur dhe funksionim normal të institucionit, si dhe të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së.
Në komunikatën e tyre thuhet:
“Modelet e financimit ekzistojnë dhe miratimi i ligjit të ri për RTK-në është urgjent, po ashtu edhe ndërtimi i pronës së re të institucionit. RTK prej 26 vitesh funksionon në pasiguri të vazhdueshme. Në vitin 2021, nga buxheti i saj u shkëputën edhe 2.2 milionë euro, duke e lënë transmetuesin publik me financimin më të ulët në rajon. Kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët dhe e dëmshme për shërbimin publik.”
SPERTK kërkon që:
“Para miratimit të buxhetit nacional, për RTK-në të vendoset rritja 0.7%…” “Të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur…” “Të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së…”
Sindikata njofton se do të paraqesë kërkesat për rritje pagash dhe avancim të kontratës kolektive sapo të formohen Kuvendi dhe organet drejtuese të RTK-së, por paralajmëron:
“Nëse këto çështje – veçanërisht rritja e menjëhershme e pagave – nuk trajtohen, SPERTK do të nisë masat sindikale pa vonesë.”
Ata rikujtojnë se RTK është në një situatë të brishtë:
“RTK aktualisht funksionon pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm, pa Kryeredaktor dhe me shumë pozita të mbajtura nga ushtrues detyre.”
Komunikata përfundon me theksimin se:
“RTK është pasuri publike. Stabiliteti i saj është interes i qytetarëve dhe detyrim i institucioneve.”



