
Deputeti demokrat kritikon drejtimin aktual të PD-së, mungesën e përgjegjësive pas humbjeve dhe aftësinë për të mobilizuar qytetarët në protesta.
Fraksioni i ri brenda Partisë Demokratike duket se është zyrtarizuar me takimin e parë që Ervin Salianji zhvilloi me demokratët në Durrës, ku mbajti një fjalim të fortë dhe kritik ndaj drejtuesve aktualë të PD-së.
Duke vënë theksin te degradimi i demokracisë në vend, sipas tij i shkaktuar nga Edi Rama, Salianji deklaroi se përgjegjësia bie edhe mbi Partinë Demokratike, e cila për shkak të paaftësisë së saj ka lejuar që të dëmtohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ai u ndal edhe te skandali i ministres Belinda Balluku, duke theksuar se një aferë me “50 milionë euro” duhej të kishte shkaktuar protesta masive në vend, por PD sipas tij nuk arrin të mobilizojë qytetarët.
Në vijim, Salianji kritikoi mungesën e takimeve të drejtuesve të PD-së me demokratët për shtatë muaj, si dhe mospërballjen me përgjegjësitë pas humbjes në zgjedhje. Ai tha se PD duhet të hapet dhe t’i besojë brezit të ri për të sjellë ndryshimin.
Pjesë nga fjalimi i Ervin Salianjit:
“Sot pritshmëritë e shqiptarëve janë të mëdha. Do të na urrejë çdo demokrat nëse nuk u përgjigjemi në kohë. Është e vërtetë që Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama përdor mjete të ndyra në politikë dhe e ka prishur procesin politik në Shqipëri.”
“Zgjedhjet janë si një luftë për bukën e gojës, shtrëngimin e vendit të punës. Por duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet, një tjetër shkak është paaftësia e opozitës, e PD-së. Edi Rama arriti të nxirrte me të gjithë represionin 15 mijë votues në Vlorë, por ne nuk arritëm të nxjerrim as 2000, pse nuk i motivojmë ne demokratët të dalin të votojnë. T’i pyesim, pse?”
“Ne nuk mund t’i mbyllim as sytë e as veshët, kur kapja e ministres Belinda Balluku në vjedhje 50 milionë euro nuk bëri të dalin mijëra njerëz në shesh dhe ta rrëzojnë këtë qeveri siç bëjnë në Bullgari e vende të tjera. Partia Demokratike nuk rritet.”
“Mostakimet 7 muaj pas zgjedhjeve, mosmbajtjen e asnjë lloj përgjegjësie, demokratët janë lodhur dhe ne nuk duhet të kemi frikë t’i themi të vërtetat ashtu siç janë. Çdo demokrat duhet të dëgjohet, mosdëgjimi i tyre është një gabim i rëndë.”
“PD-ja duhet të hapet, të besojë te brezi i ri, dhe pa diskutim të fitojë, freskia sjell shpresë. Duhet ta themi me zë të lartë dhe pa asnjë kompleks, ne e kemi forcën për ta sjellë rotacionin në këtë Shqipëri, ne e kemi forcën për ta fituar, dhe fitorja nuk është një opsion është një detyrim që i kemi demokratëve dhe shqiptarëve. Kjo është ora e kurajës, e përgjegjësisë, është ora ta themi me zë të lartë, PD duhet të hapet!”



