
Aktivistja e të drejtave të grave thotë se kënga riprodhon një narrativë patriarkale që ka justifikuar dhunën ndaj vajzave dhe grave ndër shekuj.
Aktivistja e të drejtave të grave, Rreze Abdullahu, ka reaguar fuqishëm ndaj përpunimit të ri të “Kangës së Hykmetes”, duke e cilësuar atë si një glorifikim të hapur të vrasjes së vajzave dhe grave në emër të moralit dhe nderit mashkullor. Përmes një reagimi publik, Abdullahu ka theksuar se kënga nuk është një element folklorik i pafajshëm, por një narrativë e rrezikshme që ka shoqëruar, ndjekur dhe shtypur gratë shqiptare ndër shekuj.
“Përpunimi i këngës së ‘Hykmetes’ nuk flet për asgjë më shumë veçse për glorifikimin e vrasjes së vajzave dhe grave për ‘moral’, për ‘nderin’ e burrave të pamoralshëm,” ka shkruar ajo, duke nënvizuar se këngë të tilla normalizojnë dhe romantizojnë kontrollin, xhelozinë dhe dhunën.
Sipas saj, përmbajtja e këngës dhe mënyra si paraqitet nuk është thjesht produkt artistik, por një pasqyrim i strukturave patriarkale që kanë justifikuar dëmtimin dhe vrasjen e grave. “Ky tipi duhet ta dijë se vrasja e vajzës apo gruas për ‘nder’, nuk është folklor, por krim,” ka theksuar Abdullahu.
Ajo paralajmëron se narrativat e tilla mund të keqpërdoren nga ata që synojnë të justifikojnë dhunën ndaj grave, duke e përdorur kulturën si mburojë për sjellje kriminale. “Ka shumë si ky, që këtë përmbajtje të kësaj ‘këngë’ kanë me e përdorë për me ushqy narrativën që e justifikon vrasjen e vajzave dhe grave,” shkroi ajo.
Abdullahu e cilësoi riciklimin e këngëve të tilla si të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm, duke shtuar: “Është përgjegjësi kulturore, morale dhe njerëzore të mos me e promovu vrasjen e vajzave dhe grave!”



