Limaj me mesazh: Bëhuni ushtar të komandantit, më ndihmoni ta çajmë rrethimin bashkë

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, është treguar emocional kur është pyetur në lidhje me pritshmëritë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Limaj është rikthyer në historinë e lavdishme të UÇK-së, më saktë në episodin e maleve të Berishës, ku dhjetëra-mijëra njerëz gjetën strehë gjatë luftës së fundit.

Në Debat Plus, Limaj ka pasur një kërkesë të veçantë ndaj djemve dhe vajzave të reja. Limaj ka kërkuar besimin e tyre, duke u shprehur se “komandanti është në rrethim”.

banner

Tutje, ai u ka kërkur ndihmë dhe votë që të thyhet ky rrethim, shkruan Gazeta Politika.

“Atëherë me bashkëluftëtar e kemi çarë rrethimin dhe ftesa ime, kushtrimi im që ne duhet të qëndrojmë këtu dhe pa shkelur mbi trupat tonë nuk mund të futet te civilët ushtria serbe, kishte rezultat. Sot janë me qindra, mijëra fëmijë, djem, doktora e profesora, vajza e djem që kanë kriju familje, e që kanë lindë në malet e Berishës. Cka po du me ju thanë sot, me kthy këtu. Po du me ju thënë, djemve e vajzave të reja, anëembanë Kosovës, sepse kam parë shumë me shenja të UÇK-së, nëpër telefona, në Facebook, në postime, në tubimet për UCK-në. Po du me ju thanë: komandanti është i rrethuar, më kanë rrethu disa të padukshëm këtu, do grupe të vogla. Më ndihmoni dhe më besoni ta thej rrethimin me juve bashkë. Më besoni votën kësaj here, me juve djem e vajza të reja” – tha Limaj, transmeton Gazeta Politika.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur me emrin e luftës si Komandant Çeliku, ka pasur edhe një mesazh për banorët që u strehuan në malet e Berishës.

“Për herë të parë po ju them edhe atyre që më kanë besuar, atyre 80 mijë banorë, këtë rast po e pres besimin e juaj dhe ta cajmë këtë rrethim që po bëhet në disa zyre, në podrum, a ku di unë, e që s’po dojnë me m’pa në parlament. Kësaj radhe të tregojmë që dimë të cajmë rrethimin. Më besoni, sepse dikur ma keni besuar jetën” – ka theksuar ai.

Në kumtin e tij, Limaj ka kërkuar ndihmën përmes votës në mënyrë që të bëjnë një befasi për Kosovën.

“Djem të rinj dhe vajza të reja, që keni të drejtë vote, bëhuni ushtarë të komandantit dhe ta cajmë këtë rrethim bahskë dhe t’ja bëjmë një surprizë Kosovës, se ndryshimin mund ta bëjmë bashkë” – shtoi Limaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.