
Politikani serb thotë se ceremonia e betimit, me himnin e Kosovës dhe fotografinë e presidentes Osmani, e bën të qartë se përfaqësuesit serbë punojnë sipas Kushtetutës së Kosovës.
Nikolla Sandulloviq, politikan serb dhe kritik i linjës zyrtare të Beogradit, ka reaguar pas betimit të kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ai ka deklaruar se fakti që ata janë betuar para flamurit të Republikës së Kosovës, me himnin shtetëror dhe në prani të fotos së presidentes Vjosa Osmani, është dëshmi e qartë se Kosova është një shtet i pavarur dhe i pranuar në praktikë nga përfaqësuesit politikë serbë në territoret komunale.
Në një postim në Facebook, Sandulloviq tha se të gjithë dhjetë kryetarët serbë, të rizgjedhur nën presionin e Listës Serbe dhe në atmosferë frike e shantazhi, kanë dhënë betimin e tyre ndaj shtetit të Kosovës. Sipas tij, ceremonia është zhvilluar pa asnjë negociatë dhe pa përdorim force, duke respektuar në tërësi protokollin institucional të Kosovës.
Ai theksoi se kryetarëve u janë dorëzuar dy versione të betimit, në gjuhën serbe dhe shqipe, për të shmangur çdo justifikim lidhur me gjuhën apo zakonet kulturore, ndërsa ata janë zotuar se do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Sandulloviq shtoi se pas kësaj nuk mbetet asnjë dilemë për faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe se përfaqësuesit politikë serbë në veri, me vullnet apo jo, e kanë njohur funksionalitetin e institucioneve të saj.
“Çfarë kërkoni atëherë ju serbë nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia dhe Bosnja? Heshtje aty… ashtu siç ju është drejtuar tashmë shefi juaj Aleksandar Vuçiq”, deklaroi ai, duke kritikuar politikat nacionaliste të Beogradit dhe qëndrimet kundërshtuese ndaj Kosovës.



