
Kryetari i Çairit thotë se protesta është e drejtë demokratike dhe se UÇK-ja është krenari kombëtare.
Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit “VLEN”, Izet Mexhiti, ka deklaruar se në parim e mbështet protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup, dhe se si kryetar i komunës do të jap pëlqimin për mbajtjen e saj.
Në një prononcim për VOX Kosova, Mexhiti tha se protesta është e drejtë demokratike dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson krenari kombëtare.
“Në parim po [e mbështes]. Protesta është e drejtë demokratike. Ne protestën e konsiderojmë vlerë demokratike, edhe UÇK është krenari kombëtare e jona”, deklaroi ai.
Mexhiti tha se do të jap lejen për protestë.
“Do japim pëlqim për mbajtjen e protestës. Uroj që gjithçka të kalojë mirë”, tha ai.
Protesta kundër Speciales dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pritet të mbahet më 13 dhjetor, nga ora 13:00, në sheshin Skënderbeu në Shkup. Ajo është e pesta me radhë pas protestave të organizuara në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.



