
ARRU konfirmon se është në proces të shqyrtimit të aplikacioneve tarifore; vendimi final publikohet më 31 dhjetor 2025.
Pas rritjeve të shpeshta të çmimit të rrymës gjatë viteve të fundit, qytetarët e Kosovës mund të përballen me një barrë të re ekonomike në fillim të vitit 2026. Tarifat e ujësjellësit pritet të shtrenjtohen nga 1 janari i vitit të ardhshëm, derisa ende nuk ka një përqindje të konfirmuar të rritjes.
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), në një përgjigje për lajmi.net, ka bërë të ditur se aktualisht është duke analizuar dhe shqyrtuar aplikacionet tarifore të ndërmarrjeve rajonale të ujësjellësit.
“Lidhur me pyetjen tuaj për përqindjen apo lartësinë e rritjes së tarifave për KRU-të, ju njoftojmë se ARRU është aktualisht në proces të analizës dhe shqyrtimit të aplikacioneve tarifore. Në momentin kur procesi i vlerësimit përfundon, ARRU do të nxjerrë Vendim për Urdhëresat Tarifore për periudhën 2026-2028, të cilat do të jenë gati dhe do të publikohen më 31 dhjetor 2025”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Edhe pse ende nuk ka shifra zyrtare, raportimet e deritanishme sugjerojnë se rritja e tarifave mund të arrijë deri në 40 për qind. Vendimi final i ARRU-së pritet të bëhet publik në fund të muajit dhjetor.



