
Gjykata pezullon efektet e vendimeve të GJKKO-së dhe pranon shqyrtimin e ankimimit të kryeministrit Rama në seancë plenare.
Belinda Balluku është rikthyer sot në detyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese. Institucioni vendosi të pranojë për shqyrtim ankimimin e paraqitur nga Kryeministri Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së, e cila më herët kishte urdhëruar pezullimin e Ballukut nga funksionet publike, raporton Top Channel.
Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, ka vendosur që çështja të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike, duke theksuar se rasti ka interes të lartë publik. Për këtë seancë janë ftuar si palë të interesuara Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.
Po ashtu, Gjykata vendosi me shumicë votash pezullimin e zbatimit të vendimeve të GJKKO-së nr. 118 të datës 19.11.2025 dhe nr. 120 të datës 22.11.2025, të cilat kishin caktuar masën “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” për Belinda Ballukun. Vendimi do të publikohet në Fletoren Zyrtare.
Ndërkohë, me vendim unanim, Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesat e partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë në proces si palë ndërhyrëse, duke argumentuar se nuk justifikohet interesi i tyre kushtetues në një çështje që lidhet me konflikt kompetencash mes institucioneve shtetërore.
Me këtë vendim, Belinda Balluku i kthehet detyrës së saj deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.



