
Edison Jakurti, ekonomist i njohur, ka shkruar një status, në të cilin ka komentuar zhvillimin ekonomik në Kosovë.
Sipas Jakurtit, në Kosovë s’mund të flitet për krizë ekonomike, por për rritje të pamjaftueshme.
Tutje, Jakurti ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pasoja e COVID-19.
Postimi i plotë:
Në bazë të indikatorit kryesor makroekonomik (Bruto Produktit Vendor) në Kosovë nuk mund të flitet për krizë ekonomike, por për një rritje të pamjaftueshme që nuk përkthehet në zhvillim ekonomik. Grafiku më poshtë paraqet trendin aktual të BPV-së nga 2009 deri në vitin 2025, në bazë të të dhënave nga Banka Botërore, si dhe një skenar kundërfaktik.
Ky skenar supozon se, nëse COVID-19 nuk do të kishte ndodhur, rritja ekonomike do të kishte vazhduar trendin mesatar 10-vjeçar të periudhës pas pavarësisë.
Krahasimi mes këtij skenari dhe rritjes që në fakt ka ndodhur na lejon të përllogarisim koston ekonomike të pandemisë. Për dallim nga kostoja e kontabilitetit, në kosto ekonomike përfshihet kostoja oportune, që në këtë rast është humbja e rritjes ekonomike si pasojë e pandemisë.
Sipas të dhënave të ASK-së, rritja reale ekonomike vjetore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ka qenë 3.7%. Edhe nëse supozojmë se gjatë gjithë vitit 2025 rritja vjetore do të arrijë 6% (një skenar tejet optimist), përfundimi mbetet i njëjtë: edhe pesë vite pas pandemisë, ekonomia e Kosovës nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pasojat e COVID-19.
Dhe nëse një ekonomi nuk arrin të rimëkëmbet as pesë vite pas një shoku të tillë, atëherë nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik. Më e shumta që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me një rritje të pamjaftueshme për zhvillim.




