
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për gjendjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si më të ultat e mundshme aktualisht.
Hoti ka komentuar vendimin e Qeverisë amerikane për ndërprerjen e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën, i cili sipas tij erdhi si pasojë e veprimeve të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
Ai ka theksuar se ky vendim përbën një mesazh jashtëzakonisht të rëndë për Kosovën, me pasoja politike dhe ekonomike.
“Është e pakuptueshme, me kosto gjithandej, politike e ekonomike. Ndërprerja e dialogut strategjik është mesazhi më i rëndë që mund t’i vijë Kosovës”, ka deklaruar Hoti në emisionin Euro n’7.
Sipas tij, pas këtij hapi, e vetmja masë tjetër që ka mbetur pa u marrë është tërheqja e Ambasadës së SHBA-së nga Prishtina.
“Mesazhi tjetër është veç me ta tërheq Ambasadën, s’ka më tjetër”, ka shtuar Hoti.



