
Shkresa e firmosur nga Altin Dumani kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë me arrest në burg ose në shtëpi, në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025.
Është zbardhur shkresa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit të deputetes dhe njëherësh ministres e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Dokumenti është publikuar nga Top Channel.
Në shkresë, SPAK i kërkon Kuvendit autorizim për arrestimin ose heqjen e lirisë së Ballukut, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025. Kërkesa mban firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten riktheu Ballukun në detyrë.
Sipas dokumentit, Prokuroria kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, si dhe “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, sipas nenit 242, me masën më të rëndë të “arrestit në burg” ose “arrestit në shtëpi”, të parashikuara nga nenet 238 dhe 237 të Kodit të Procedurës Penale.
“Për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku”, thuhet në shkresën e SPAK, e cila është dërguar Kuvendit me urgjencë.
Po ashtu, në respektim të nenit 288, pika 2 të Kodit të Procedurës Penale, SPAK ka bashkëlidhur edhe relacionin e arsyetuar, provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, të datës 16 dhjetor 2025.
“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin”, përmbyllet shkresa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.




