Gjykata Supreme anulon vendimin e KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit

Vendimi për U.D. Kryeprokurorin e Shtetit u cilësua i kundërligjshëm dhe arbitrar, lënda kthehet në KPK për rishqyrtim.

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK.nr.1056/2025) të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Me këtë vendim, lënda i është kthyer KPK-së për rishqyrtim dhe rivendosje.

banner

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se ankesa e Kelmendit ishte e bazuar, duke u mbështetur në nenin 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Sipas Gjykatës Supreme, vendimi i KPK-së për shkarkim ishte mbështetur në pretendime se U.D. Kryeprokurori, përmes deklarimeve në Këshill dhe në media, kishte shprehur qëndrim të njëanshëm, duke denigruar pozitën e tij dhe duke cenuar besimin në sistemin prokurorial dhe te publiku. Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se këto pretendime nuk e justifikonin vendimin e marrë dhe se ai ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe me Kodin e Etikës Profesionale për Prokurorë.

“Vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të marrë vendime pa bazë ligjore specifike dhe duke u referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme. Aty theksohet se e gjithë procedura, nga rendi i ditës e deri te vendimi përfundimtar, ka qenë e pambështetur në ligj.

Me këtë vendim, Gjykata Supreme ia ka kthyer lëndën KPK-së për rishqyrtim, duke lënë të hapur mundësinë që çështja të rivendoset në përputhje me ligjin.

Besim Kelmendi ishte shkarkuar më 20 nëntor nga Këshilli Prokurorial i Kosovës me pesë vota pro, ndonëse KPK-ja përbëhet nga 10 anëtarë. Vendimi ishte marrë pas dëshmisë së tij lidhur me masakrën e Reçakut, ndërsa Kelmendi kishte mohuar raportimet se kishte qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të këtij rasti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.