
Eurodeputeti holandez e cilëson “katastrofë” politikën e deritanishme të BE-së dhe thotë se Kosova mund të rifillojë rrugën evropiane.
Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka reaguar pas heqjes së pjesshme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe vendimit që ato të hiqen plotësisht në fund të janarit 2026, me lirimin e një grupi të dytë të mjeteve financiare.
Përmes një postimi në platformën X, Reuten ka uruar Kosovën për këtë zhvillim, duke theksuar se tashmë mund të rifillojë rruga evropiane e shtetit, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka qenë kritik ndaj politikës së deritanishme të BE-së ndaj Kosovës, duke e quajtur atë një “katastrofë”, ndërsa ka shtuar se hapi i radhës duhet të jetë përpunimi i kërkesës për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian, e cila ka mbetur pezull prej vitesh.
“Më në fund, urime Kosovë. Çfarë katastrofe ka qenë kjo politikë e BE-së. Tani mund të rifillojmë rrugën evropiane të Kosovës. Të radhës: të përpunojmë kërkesën e anëtarësimit të Kosovës që ka mbetur pezull prej vitesh”, ka shkruar Reuten.



