Abdixhiku: LDK nuk bie në provokime – po përqendrohemi në punë dhe fitore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës u bëri thirrje mbështetësve për qetësi, fokus dhe besim, duke theksuar se LDK është në rrugën e duhur drejt fitores.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një deklarate ka theksuar rëndësinë e vullnetit, durimit dhe përkushtimit në këtë periudhë zgjedhore, duke bërë thirrje për unitet dhe fokus në punë.

“Në jetë duhet pasur vullnet dhe durim,” — u shpreh Abdixhiku.

Ai theksoi se është i vetëdijshëm për kundërshtarët politikë që, sipas tij, “aktivizohen me helm edhe për ngjarjet më periferike”, por shtoi se LDK nuk do të bie në “detin e madh të parëndësisë së tyre”.

“Kërkojmë mirëkuptim nga mbështetësit tanë se pse nuk reagojmë për çdo helm që kanë. Për punët brenda shtëpisë sonë do të ketë rend. Me kohë gjithçka. Kemi punë shumë më të mençura tani. Jemi në garë; aty na duhet secili angazhim i njerëzve të mrekullueshëm tanë,” tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së u shpreh optimist për rezultatet e partisë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, duke nënvizuar se partia po rritet dhe po forcohet përmes besimit të anëtarësisë dhe mbështetjes së qytetarëve.

“Kemi nisur diçka të madhe. Po e shohim që ju kemi pas. Le të fitojmë tash! Lidhja është e fortë. Po rritet. Veç me besim e bindje; me anëtarësinë e popullin pas; dhe mbi të gjitha pa interesa e pa kalkulime. Kjo është pasuria më e madhe e jona,” përfundoi Abdixhiku.

Back to top button