Abdixhiku: “PO, JU KANË MASHTRUAR!” – publikon qëndrimin e LDK-së për Ligjin e Speciales

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi, sipas tij, ligji i miratuar për Gjykatën Speciale nuk po prodhon efektin juridik që u ishte premtuar qytetarëve.

“Ende pa u mbushur 48 orë, qenkan habitur që ligji nuk prodhon efektin juridik që ju premtuan. Që e gjithë kjo nismë e ide ishte veç një mashtrim me emocionet e një populli të lënduar”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar: “PO, JU KANË MASHTRUAR! DHE PO, UA KEMI THËNË!”

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja i kishte paralajmëruar rreziqet juridike të nismës më 5 tetor, në Kuvendin e Kosovës, por, sipas tij, qëndrimi i partisë nuk ishte dëgjuar.

“Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim. Por kur beteja e vogël partiake bëhet më e rëndësishme se përpjekja kombëtare, kur hileqarët marrin zë e tregtarët e mendimit drejtojnë gishtin, kur askush s’guxon të thotë se ‘mbreti është lakuriq’, atëherë më e lehta është t’i vërsulesh arsyes – mes tradhtarëve që s’janë dhe patriotëve që shtiren.”

Ai e ka përfunduar këtë pjesë të reagimit duke thënë se “një popull mbetet i mashtruar”, ndërsa më pas ka publikuar një ekstrakt nga qëndrimi zyrtar i LDK-së, i datës 5 tetor 2026.

Në atë qëndrim, LDK-ja kishte thënë se votimi në Kuvend nuk mund ta zhbëjë aktgjykimin dhe se ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Qëndrimi zyrtar i LDK-së, ekstrakt – 5 tetor 2026:

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e shenjtë. Pikërisht për këtë, çdo veprim institucional duhet t’i shërbejë drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve dhe interesit të Kosovës.

Familjeve dhe qytetarëve u detyrohemi sinqeritet.

Nuk mund t’u premtojmë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike.

Dhomat e Specializuara mbështeten në një kornizë kushtetuese dhe në detyrime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon këto detyrime dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën. Prandaj, vetë miratimi i ndryshimeve në Kuvend nuk garanton zbatimin e tyre dhe as rezultatin që po u premtohet qytetarëve.

Nëse dispozitat shpallen antikushtetuese, (nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushretuese), ato mund të shfuqizohen. Kjo nismë, rrjedhimisht, mund të mos prodhojë efektin juridik që pretendohet, ndërkohë që pasojat e saj politike dhe ndërkombëtare mund t’i mbeten Kosovës.

Për këto arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme. LDK paralajmëron me kohë për rreziqet e mundshme juridike, politike dhe ndërkombëtare që ajo bart. U bëjmë thirrje propozuesve dhe deputetëve që t’i marrin seriozisht këto rreziqe dhe të veprojnë në interes të drejtësisë dhe të Republikës së Kosovës.

Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës. Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë.

Prishtinë, 5 tetor, 2026”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.