
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar për emërimin e Agron Bajramit, ambasador i Kosovës në Belgjikë, edhe në një funksion tjetër.
ZKM-ja ka treguar se Bajrami do ta mbajë edhe pozitën e kryenegociatorit në dialogun teknik me Serbinë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z. Agron Bajrami në pozitën: Kryenegociator i Republikës së Kosovës në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kryeministri Kurti e uroi z. Bajrami për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.
Krahas pozitës së re, z. Bajrami është ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës” – ka njoftuar ZKM-ja.



