Ali Ahmeti kritikon Kurtin: Mospjesëmarrja e tij në protestë nuk është mirë

Kryetari i BDI-së thotë se ndien emocion të veçantë që protesta për drejtësi ndaj UÇK-së po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka folur nga Tirana, përmes një lidhjeje direkte në Klan Kosova, ku po zhvillohet protesta për drejtësi ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ahmeti e cilësoi këtë protestë si mbarëkombëtare, duke theksuar se ajo bashkon shqiptarët nga të gjitha trevat dhe se ndien një emocion të veçantë që kjo protestë po mbahet në sheshin “Skënderbej”, në zemër të kryeqytetit shqiptar.

“Kjo është një protestë mbarëkombëtare. Sot bashkë me bashkëkombasit tanë në Shqipëri, të cilët kanë qenë gjithmonë pranë nesh në ditë të vështira, nga Gjirokastra deri në Shkodër e Kukës, kanë hapur të gjitha dyert. Kjo protestë për drejtësi mbahet në sheshin ‘Skënderbej’, aty ku kanë vepruar heronjtë tanë”, u shpreh Ahmeti.

Lideri i BDI-së u ndal edhe te mospjesëmarrja e Albin Kurtit dhe Sali Berishës në këtë protestë, duke e cilësuar si një mungesë të papërshtatshme.

“Nuk është mirë. Kjo është një protestë mbarëkombëtare, e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta, pa ngjyrime politike. Këtu nuk ka prapavijë partiake apo politike ditore, por solidaritet për drejtësi dhe për ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës”, shtoi ai.

Ahmeti nënvizoi se protesta nuk ka karakter politik, por është një thirrje për drejtësi dhe për pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së, të cilët, sipas tij, kanë mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe kanë respektuar konventat ndërkombëtare të luftës.

“Ushtria jonë ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat. Ka pasur vështirësi të mëdha përballë gjenocidit serb, por ka mbajtur dinjitetin dhe nderin e kombit”, përfundoi Ahmeti.

Back to top button