
Kryetari i BDI-së vlerëson procesin zgjedhor dhe bën thirrje për forcimin e aleancës me SHBA-në dhe BE-në.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje pas fitores së tyre në zgjedhjet e djeshme në Kosovë.
Në reagimin e tij, Ahmeti ka përgëzuar qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor, duke vlerësuar maturinë dhe pjekurinë e treguar gjatë votimit. Sipas tij, zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të lirë, të ndershme dhe plotësisht demokratike, në përputhje me standardet evropiane.
“Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar. Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj”, ka shkruar Ahmeti.
Më tej, ai ka theksuar rëndësinë e forcimit të aleancës strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si rrugën që garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë.
Sipas Ahmetit, Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar ka qenë dhe mbetet një ëndërr e përbashkët.



