Ambasada e Gjermanisë ka folur në lidhje me çështjen e Asociacionit.
Në një përgjigje për Express, Ambasada ka vlerësuar se mbetet prioritet i Gjermanisë të shoh zbatimin e Asociacionit.
“Për Gjermaninë, është prioritet që të shohë përparim në zhvillimin dhe zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ka qenë një detyrim ndërkombëtar që nga viti 2013. Shpresojmë të shohim diskutimet e nevojshme dhe më pas përparim në krijimin e Asociacionit. Dhe sigurisht, çdo zbatim i Asociacionit duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për këtë arsye Gjykata Kushtetuese duhet të përfshihet për vlerësim para zbatimit”, ka thënë Heine, duke dhënë detaje tjera.
“Duke qenë se rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, të cilën Gjermania e mbështet fuqimisht, është një pikë diskutimi e rregullt midis Ambasadës dhe Qeverisë së Kosovës, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe diskutohet shpesh”, ka thënë ajo.



