Anton Quni: Në asnjë rrethanë nuk votoj kundër vendimit të LDK-së për Qeverinë Kurti III

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës reagon pas deklaratave të gazetarit Berat Buzhala, duke mohuar se mund të japë votën pro Qeverisë Kurti kundër qëndrimit të partisë së tij.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka reaguar pas deklaratave të gazetarit Berat Buzhala, i cili në emisionin Pressing në T7 kishte përmendur mundësinë që Quni të votojë në mbështetje të një Qeverie Kurti III, edhe nëse LDK do të ishte kundër.

Në reagimin e tij publik, Quni e ka mohuar kategorikisht këtë mundësi, duke thënë se në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht nuk do të veprojë kundër qëndrimit të partisë.

“Nuk e di nëse deklarimi i z. Berat Buzhala ishte i pamenduar mirë apo me ndonjë qëllim të caktuar. Sidoqoftë, dua të jem shumë i qartë: në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht, unë, Anton Quni, nuk do të ndryshoj anë, e as nuk do të votoj në të kundërtën e vendimit të Kryesisë së LDK-së,” ka shkruar ai.

Deputeti theksoi se qëndrimi i tij është dhe mbetet i palëkundur, në përputhje të plotë me vendimmarrjen e strukturave të LDK-së, duke shtuar se qëndrueshmëria ndaj partisë është pjesë e parimeve të tij politike.

“Një herë LDK, gjithmonë LDK,” përfundon reagimi i Anton Qunit.

Back to top button