Armend Muja: Oferta për Qeveri i është bërë vetëm LDK-së dhe Nismës, PDK dhe Lista Serbe mbeten të përjashtuara

Deputeti i VV-së thotë se vazhdon puna për gjetjen e mekanizmave kompromis për formimin e ekzekutivit, ndërsa PDK dhe Lista Serbe nuk janë pjesë e negociatave.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka komentuar formimin e Qeverisë së re dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se që nga fillimi ofertat për krijimin e ekzekutivit janë bërë vetëm ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Nismës.

Ai ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe janë përjashtuar nga këto negociata dhe do të mbeten të tilla. Sipas Mujës, opsionet politike kanë qenë të hapura vetëm për LDK-në dhe Nismën.

“Ju e dini që ofertat tona politike kanë qenë publike. Jemi refuzuar ashpërsisht në shumë raste, më shumë se një rast nga LDK-ja, mirëpo ka qenë vullnet i shumicës së votuesve të të dy subjekteve politike. Kjo është edhe shkencërisht e konfirmuar që të krijohet një koalicion, por ajo është refuzuar. Opsioni B ka qenë krijimi i qeverisë së bashku me Nismën dhe komunitetet joshumicë. Ato përpjekje do të vazhdojnë, dhe i takon kryeministrit Kurti që deri të shtunën të gjejë mekanizmin kompromis, formatin dhe koncesionet e nevojshme për krijimin e ekzekutivit,” tha Muja për emisionin Politiko.

Back to top button