Armend Zemaj: Keqardhje për incidentin gjatë intervistës, kërkoj falje publike

Deputeti thotë se reagoi në afekt dhe vetëmbrojtje, duke theksuar se dhuna nuk është përgjigje e drejtë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka folur për incidentin që u raportua të ketë ndodhur mes tij dhe një qytetari gjatë një interviste publike.

“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ai ka pranuar se ka reaguar në afekt dhe për vetëmbrojtje, duke shtuar se ky reagim nuk përfaqëson bindjet e tij personale apo parimet që mban si deputet. “Në këto raste sulmi dhe fyerjet e ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë. Dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, ka shkruar Zemaj.

Deputeti ka theksuar gjithashtu respektin për çdo person, mendim dhe kritikë, duke nënvizuar rëndësinë e durimit dhe përmbajtjes: “Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”, ka përfunduar Zemaj.

Back to top button